Meta lëshon autorizimin për Detin
Pas dy refuzimeve të njëpasnjëshme, Presidenti Ilir Meta i ka dhënë autorizimin Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati që të lëshojë plotfuqinë për grupin negociator për ndarjen e kufirit detar me Greqinë. Në njoftimin e tij Kreu i Shtetit, kërkon që të respektohet Kushtetuta dhe sovraniteti territorial i vendit. Meta argumenton se vendimin për t’i hapur dritën jeshile negociatave me Greqinë e bazon jo vetëm në ligjin themeltar të shtetit, por edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të cilin ka deklaruar se është një vijë e kuqe që nuk mund të tejkalohet.
“Presidenti i Republikës, u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr 15 të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”.
Dhënia e autorizimit vjen pak ditë pas takimit që Presidenti Meta zhvilloi në Presidencë me kryeministrin Rama, takim për të cilin nuk u dhanë detaje, por në qendër të të cilit ishin pikërisht negociatat me Greqinë. Kjo lëvizje i hap rrugë edhe një vizite të programuar të kryeministrit grek Tsipras në muajin Prill në Tiranë, ku pritet firmosja e partneritetit strategjik me Greqinë.
Tv Klan