BE vendos të hapë negociatat me Shqipërinë në Qershor 2019


BE vendos të hapë negociatat me Shqipërinë në Qershor 2019

19:03 26/06/2018

Bashkimi Europian do të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë në Qershor të vitit 2019. Vendimi për dhënien e dritës së gjelbër për vendin tonë, iu bashkuan edhe vendet skeptike Franca, Holanda dhe Danimarka të cilat u tërhoqën nga qëndrimi fillestar, për të bllokuar procesin.

Në raportin përfundimtar për procesin e zgjerimit, Këshilli Europian përshëndet progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë, në përmbushjen e reformave që lidhen me 5 prioritetet kyçe të vendosura më herët nga Komisioni Europian.

“Këshilli mirëpret progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në administratën publike, të drejtat e minoriteteve dhe të pronës. Ristrukturimi institucional i Drejtësisë po përparon. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në procesin e Vetting-ut ka nisur të japë rezultate të prekshme, përfshirë edhe anëtarë të lartë të gjyqësorit, nën vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”.

Mbi këtë optikë të përparimit në 5 prioritetet kyçe, Këshilli iu përgjigj pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria, por duke theksuar në të njejtën kohë reformat ku duhet duhet fokusohet tani puna.

“Këshilli nënvizon nevojën kritike që ka Shqipëria për të konsoliduar edhe më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi, kryesisht në procesin e Vetting-ut dhe të japë prova të tjera të konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, në veçanti në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Avancimi i reformës në drejtësi përfshin finalizimin e ngritjes së strukturës speciale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), si edhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Avancimi i reformës përfshin gjithashtu forcimin e investigimeve, hetimeve dhe dënimeve përfundimtare përfshirë edhe nivelin e lartë. Prandaj Këshilli i kërkon Komisionit Europian të monitorojë nga afër përpjekjet e Shqipërisë për rëformat e mësipërme”.

Me shqetësim Bashkimi Europian sheh ngërçet politike në Shqipëri duke apeluar për dialog.

“Këshilli vëren me shqetësim tendencat për bojkot të parlamentit. Dialogu politik, veçanërisht brenda parlamentit dhe pjesëmarrja më e fortë e shoqërisë civile mbeten thelbësore në funksionimin e mirë të demokracisë. Këshilli nënvizon gjithashtu rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe transparente, në përputhje me standardet e OSBE-së”.

Vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë do t’i nënshtrohet miratimit nga Këshilli Europian për t’u pasuar menjëherë nga Konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë.

Tv Klan






Të ngjashme