Nehat Kulla në gjyq – (15 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Nehat Kulla dhe shokët e tij sot dolën para gjyqtarëve të Elbasanit. Në seancën e drejtuar nga gjyqtari elbasanas Qani Hasa, në bankën e të akuzuarve në fillim u ulën shokët e Nehatit. Krenar Daja akuzohet nga Prokurori Bujar Hoxha për armëmbajtje pa leje dhe pjesmarrje në bandë të armatosur dhe kërkoi për të arrest me burg. Por avokatja e tij Manushaqe Zhulali, deklaroi se Daja është i sëmurë me të meta mendore kërkoi të ndryshohej masa me arrest shtëpiak.
Pas tij u erdhi radha të pandehurve të tjerë. Ervin Elezi që sipas avokatit të tij është polic në Repartin 711 në Tiranë, Ismet Ramadani president i një firme private po në Tiranë dhe në fund Ervin Qorri. Edhe për këta Prokurori dha të njëjtën akuzë dhe kërkoi për ta arrest në burg. Avokatët e të pandehurve thanë se dy të parët armët i kanë me leje, pasi janë policë. Kurse i treti Ervin Qorri mohon të ketë patur armë dhe aq më pak të jetë pjesmarrës i një bande të armatosur.
Gjyqtari Qani Hasa edhe për ta vendosi arrest me burg. Më pas i ka ardhur radha të ulet para prokurorit të shumëpërmendurit Nehat Kulla. Sapo është ulur i rrethuar nga policët i ka kërkuar Kullës se kush është avokati i tij. Kulla ka kërkuar avokatin Përparim Sanxhaku por gjyqtari i ka shpjeguar se avokati Sanxhaku si anëtar i KLD nuk mund ta përfaqesojë atë dhe i rekomandoi një avokat tjetër.
Prokurori Bujar Hoxha ka lexuar aktakuzën për Nehat Kullën, armembajtje dhe municion pa leje, krijim të bandave të armatosura dhe fallsifikim të dokumentave. Kulla ka thënë se ai ka mbrojtur të gjithë zonën ku banon nga keqbërësit apo hajdutet, Uzinën e armëve si dhe tunelet me municion që nga 97 deri më sot.
Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë Adem Çobani tha Kulla më ka ngarkuar për ruajtjen e municioneve dhe artilerisë ne Tufinë. Ndërsa për falsifikimin e dokumentave të gjetura në shtëpinë e tij Kulla i mohoi, duke thënë se tërë Shqipëria është e fallsifikuar. Përveç ruajtjes së qetësisë në zonën e tij që sipas tij është më e qeta dhe më me pak krime në kryeqytet, ai ka ndihmuar dhe policinë kur ata vetë e kanë kërkuar.
Në fund Nehat Kulla deklaroi se është viktimë e politikanëve të të dyja krahëve. Megjithë fjalët e Nehat Kullës në fund të seancës, gjyqtari Qani Hasa vendosi për Kullen arrest me burg./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj