Nën hetim Urgjenca e Spitalit të Lushnjes (05 Janar 2012)
I gjithë personeli i urgjencës së Spitalit të Lushnjes është vënë nën hetim nga Prokuroria për shkak se nuk i ka ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore një të aksidentuari, i cili më pas ka humbur jetën.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 26 dhjetor të këtij viti. Enver Saraçi, 67 -vjeç është lënë në mes të rrugës, pa asnjë ndihmë, për të paktën 45 minuta nga koha kur familjarët e tij pretendojnë se është njoftuar urgjenca spitalore, duke u bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve të ngjarjes. Kamera e Tv Klan sjell pamje kur i aksidentuari qëndron në rrugë për disa minuta dhe ka fiksuar momentet kur disa efektive të policisë shprehin shqetësimin për vonesën në mbërritjen e autoambulacës.
Për shkak të vonesës së autoambulancës, efektivët e policisë e transportojnë vetë të aksidentuarin në përpjekje për t’i shpëtuar jetën, siç shihet në këto pamje.
Enver Saraçi ndërroi jetë pak orë më pas në Spitalin Ushtarak. Familjarët e tij akuzuan drejtuesit e spitalit të Lushnjes, çka e detyroi prokurorin Petrit Çano të nisë hetimet.
Drejtoresha e Spitalit të Lushnjes, thotë se urgjenca është lajmëruar me vonesë, ndaj edhe autoambulanca, e vetmja në përdorim atë ditë nga 6 të tilla, ka mbërritur vonë. Ajo vetë pohon se mjetit të urgjencës i janë dashur plot 15 minuta për të vajtur nga spitali në vendin e ngjarjes.
Distanca mes urgjencës së spitalit dhe vendit ku gjendej i aksidentuari, në mbikalimin e Savrës, është vetëm 2.3 kilometra. Me shpejtësi brenda normave të lejuara, një makinë e zakonshme e përshkoi këtë distancë në vetëm 5 minuta, në mesdite, ku trafiku është paksa më i rënduar se në orët e para të mëngjesit, kohë kur ndodhi edhe aksidenti i 26 dhjetorit.
Vonesa në dhënien e ndihmës nga spitali i Lushnjes, që rezultoi me pasoja fatale për jetën e një njeriu janë objekt i hetimit penal të nisur nga Prokuroria e Rrethit. Si pjesë të hetimeve prokuroria ka kërkuar edhe tabulatet telefonike të personelit të urgjencës. Ky është rasti i parë që Prokuroria e Lushnjës nis një hetim të tillë për mungësë të dhënies së ndihmës së shpejtë nga urgjenca spitalore, ndonëse kjo nuk është e para hërë që ndaj spitalit ngrihen akuza të tilla./tvklan.al
Gazetare :Anila Sefa