Nëna e 4 fëmijëve: Kur lindi djali u tmerrova


Nëna e 4 fëmijëve: Kur lindi djali u tmerrova

17:54 03/02/2020

Në programin “Historia ime”, në Tv Klan, ditën e sotme ishte e ftuar një 52 vjeçare, të cilën jeta e ka përballur me vështirësi të njëpasnjëshme.

Ajo është nënë e 4 fëmijëve dhe për shkak të mentalitetit nuk do ta zbulojë identitetin e saj. Në studio, ajo preferon ta thërrasin Leta dhe historia që ajo rrëfen është tepër e dhimbshme.

Vështirësitë ekonomike të familjes, e detyruan bashkëshortin e saj që të largohej drejt Greqisë, kur ajo ishte në pritje të fëmijës së tretë.

Kur djali i saj erdhi në jetë zbuloi se ai kishte një anomali që quhej buzëlepuri. Ndihej e pafuqishme përballë një sëmundjeje të tillë, por mjekja i tha se çdo gjë do rregullohej, pasi djali të bënte operacion plastik për buzën dhe qiellzën.

Por situata u komplikua, pasi djali i saj pati një temperaturë të lartë, që i shkaktoi atij probleme me të folurin dhe të dëgjuarin. Gjithashtu nëna më vonë kuptoi se ai kishte probleme psikologjike.

Leta: Unë isha shtatzënë 7 muajshe dhe burri vendosi të largohej në Greqi siç iknin gjithë shqiptarët maleve. Mirëpo, mbas dy muajsh unë linda djalin. Ai lindi me anomali. Në gjuhën mjekësore quhej buzëlepuri, kishte qiellzën dhe buzën e hapur. U tmerrova se nuk kisha parë dhe nuk kisha dëgjuar, kisha dhe dy fëmijë, vajzën 3 vjeç dhe djalin 5. Nuk kisha as krahë, tim shoq se kisha aty. 3 ditë fëmija nuk pinte, mbytej, i kalonte ushqimi dhe mbytej. Shkoj tek një pediatër, ai më thotë nëse nuk ka problem tjetër, mos u shqetëso se ky bëhet operacion plastik në Tiranë dhe do ta kalojë. Mu hoq një barrë e rëndë, u ktheva në shtëpi e qetë.

Mirela Milori: Bëri ndërhyrjen?

Leta: 6 muaj do bënte buzën dhe 2 deri 3 vjeç do bënte qiellzën. I shkruaj tim shoqi dhe nuk i thashë që fëmija kishte lindur me anomali. Ai e dinte që kishte lindur djalë, por jo për ta shqetësuar që kishte anomali.

Mirela Milori: U bë ndërhyrja kirurgjikale për djalin?

Leta: I vunë nalkozën çunit për ta futur në sallë, por fatkeqësisht ndodhi që kishte vdekur një kolegu i tyre dhe djalit nuk iu bë operacioni, e shtynë edhe një javë. Temperatura nuk i zbriste, pastaj ma çuan në pediatri. Atje ishte më e vështirë, se unë s’kisha qumësht dhe ai rrinte tek dhoma e nënave, nuk më lejohej as të rrija në spital. Vija tek dhoma e nënave fshehtas, blija qumësht kush më jepte ndonjë lekë dhe e gatuaja dhe ia jepja në kohën që nënat ushqenin fëmijën e tyre. Dikush spiunoi tek kujdestarja dhe më larguan edhe nga dhoma e nënave. Djali u përkeqësua.

Mirela Milori: Kur u operua djali?

Leta: Djali si kaloi gjithë këtë u dobësua dhe vajti as i gjallë dhe as i vdekur, nuk i la njeri shpresë. E mora në shtëpi, vetëm sa merrte frymë. Me javë të tëra si zbriste temperatura. Temperatura e lartë i la shumë pasoja, djali nuk mund të fliste, nuk mund të dëgjonte, për gjendjen nervore e kuptuam më vonë.

Leta tregon se gjendja e tij po përmirësohej disi me kalimin e kohës. Ajo tregon se edhe vajza tjetër që erdhi në jetë pas 5 vitesh kishte probleme dhe nuk mund të fliste dhe as të dëgjonte./tvklan.al






Të ngjashme