Nënë Tereza kthehet në shenjtore
Në orën 10:40 minuta, Para Françesku shpalli Nënë Terezën shenjt. Para se Ati i Shenjtë të përfundonte leximin e formulës se kanonizimit në gjuhën latine dhe të artikulonte fjalët mbyllëse
“Tereza e bekuar e Kalkutës të jetë shenjtore”
, 120 mijë pelegrinët në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit shpërthyen në duartrokitje.“Pas shqyrtimit të duhur dhe lutjeve të shpeshta për ndihmë hyjnore, duke kërkuar ndihmën e këshillit të vëllezërve tanë kardinalë, në deklarojmë dhe përcaktojmë përfundimisht se Tereza e Bekuar e Kalkutës të jetë shenjtore, emri i saj të vendoset mes shenjtorëve dhe të nderohet si e tillë nga e gjithë Kisha”.
Besimtarë të ardhur nga e gjithë bota, mes të cilëve shumë shqiptarë, ndoqën ceremoninë e shenjtërimit të humanistes imcake, një proces që u krye shpejt, 19 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës dhe vërtetimit të dy mrekullive. Nën portretin e murgeshës së të varfërve varur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë iu drejtua të pranishmëve.“Sot po ju dorëzoj figurën e saj emblematike. Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërisë. Ndoshta do të jetë e vështirë ta thërrasim Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq pranë nesh. Unë besoj se në do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.
Pas predikimit si për të konfirmuar origjinën shqiptare të humanistes, lutja e parë u bë në Gjuhën Shqipe nga motra Mari Marjeta, një nga misionaret e urdhrit të Nënë Terezës që deri para pak kohësh shërbeu në Shkodër. Në ceremoni ishin të pranishëm 15 delegacione shtetërore. Shqipëria përfaqësohej me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e opozitës Lulzim Basha. Për 1500 të varfërit për të cilët u rezervuan vendet më të mira për të parë nga afër ceremoninë e shenjtërimit, Papa Françesku, shtroi për ta një drekë falas më pizza napolitane. Për herë të parë, festa e Shën Terezës, shenjtorja perfekte për atë që njihet si “Viti i Mëshirës” do të kremtohet nesër, në 5 Shtator, në ditën kur Nënë Tereza u largua nga bota e të gjallëve në tokë. Tv Klan