Nënshkruhet marrëveshja me Shell për naftën në Shpirag


Nënshkruhet marrëveshja me Shell për naftën në Shpirag

15:44 20/02/2018

Kompania britaniko-holandeze Shell do të nisë kërkimin e Naftës në bllokun 4 në zonën e Shpiragut. Përfaqësuesit e kësaj kompanie dhe qeveria shqiptare kanë nënshkruar në Shpirag marrëveshjen e cila sipas kryeministrit nuk ka qenë dhe shumë e lehtë për tu arritur, pasi janë dashur 2 vjet negociata. Në fund të tyre kompania ka pranuar që të kryejë investime në infrastrukturën e zonës ku do të nisë kërkimi.

“Kemi një marrëveshje që është një garanci e qartë për përfitim reciprok. Vlerësohet të ketë një impakt me rëndësi të jashtëzakonshme në ekonominë shqiptare.”

Prania e Shell-it në Shqipëri për Ramën është një dëshmi se investimet e huaja gjejnë një klimë të përshtatshme dhe të njëjtën gjë ai fton ta bëjnë edhe kompani të tjera.

“Kjo do të vlejë që në Holandë Shqipëria të shikohet e plotë ashtu siç është. Dhe jo e pjesshme athua se këtu nuk ka asgjë tjetër përveç krimit të organizuar.”

Marrëveshja për bllokun 4  mes qeverisë dhe Shell për kërkimin e naftës në zonën e Shpiragut do të kryhen në 3 faza. Kohëzgjatja e kontratës për rastin nëse do të ketë një zbulim të ri gjatë shpimit do të jetë deri në 25 vjet me të drejtë zgjatje.

“Kjo kontratë bën të mundur që nëse do të dalë naftë edhe në bllokun 4, qeveria shqiptare merr diçka që nga fuçia e parë e naftës, gjë që nuk ka qenë në marrëveshjet e tjera”, tha Gjiknuri.

Në 7 vjet Shell do të investojë 42.5 milion USD.

Tv Klan






Të ngjashme