Nënstacioni i ri në Shkozë zgjidh problemin e energjisë për atë zonë – (9 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Ky është nënstacioni i ri lëvizës i instaluar brenda nënstacionit të Shkozës, në kombinatin e Autotraktorëve në kryeqytet. Kjo pajisje është vendosur këtu pasi zona periferike e Tiranës, njihet si zona më problematike për luhatjet e tensionit, duke përfshirë këtu edhe lagjen “Ali Demi”. Ky nënstacion është dhuratë e qeverisë norvegjeze, dhënë KESH, për të kaluar situatën e rëndë në sistemin elektroenergjitik në vend. Për këtë Gjin Rosaj, drejtori i filialit energjetik të Tiranës thotë:
Gjn Rosaj:- “Aty është vendosur një nënstacion i lëvizshëm, i cili ka një fuqi të instaluar rreth 25 mijë KV/Amper dhe eliminon plotësisht problemet nga mbingarkesa e transformatorit. Tani banorët e kësaj zone nuk do të kenë më probleme nga mbingarkesa”.
Kështu vendosja në punë e këtij nënstacioni i vjen në ndihmë rreth 100 mijë banorëve, që jetojnë në periferi të kryeqytetit. Kufizimet elektrike nga mbingarkesat janë ulur, duke shtuar furnizimin në rrjet./tvklan.al