Nesër luhet derbi Tirana–Partizani
Partizani do t’i vendosë të gjitha energjitë e mundshme për ndeshjen e radhës pasi edhe pse vlen vetëm 3 pikë, derbi për tifozërinë është si të fitosh titull kampion. Skënder Gega ka bërë planet e tij, ka ndërtuar skema dhe kombinime lojtarësh gjatë gjithë këtyre ditëve për një ndeshje tek, e cila do të shkojë për ta fituar, por edhe për të mos e humbur.
“Do mundohemi për më të mirën. Jemi të qetë dhe të vendosur. Kemi bindjen që do shkojmë shumë përpara. Është fazë e rëndësishme për në që të mos ngecim”, tha Gega.
Edhe vetë futbollistët e kuq nuk mund t’i shmangen adrenalinës së këtij takimi pavarësisht se pohojnë se janë të qetë. Bruno Telushi, madje shfaqet besimplotë se skuadra e tij mund t’ia dalë edhe pse Tirana ka një prej sulmeve më të mirë të kampionatit.
Edhe bardheblutë e ndjejnë derbin, por për momentin që po kalojnë në kampionat, më së shumti janë të interesuar tek pikët e këtij takimi se sa tek krenaria e fitores së kësaj ndeshjeje.
“Ekipi është në momente të mira. Rezultatet e mira i kanë bërë mirë. Jam munduar ta mbaj larg presionin. Tiranës i duhen më shumë pikët se sa fitorja. Ndoshta mund t’i bëjmë dhuratë edhe Kukësit, por ne kemi hallet tona. Ne duhet ta shohim ndeshjen për pikët sepse e kemi shumë të nevojshme”, tha Mema.
Partizanit do t’i mungojë Trashi për shkak kartonësh dhe trajneri Gega ende nuk e ka vendosur se cili do të jetë zëvendësuesi i tij. Ndërsa tek bardheblutë nuk do të ketë mungesa, teksa është rikthyer në stërvitje të rregullt mbrojtësi Doka.
Tv Klan