Nesër mblidhet Komisioni i Reformës


Nesër mblidhet Komisioni i Reformës

15:40 01/08/2016

Të martën në orën 11 Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi do të mblidhet me pjesëmarrjen edhe të opozitës për të shqyrtuar 7 projektligjet, që do të bëjnë të zbatueshme ndryshimet kushtetuese të miratuara në 21 Korrik.

Pjesë e këtyre projektligjeve është dhe ai për vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve apo i njohur si vettingu, pjesa më e debatuar e draftit të Reformës në Drejtësi.

Ambasadorët e SHBA dhe BE kanë kërkuar miratimin e shpejtë të shtatë ligjeve dhe të parin ligjit e vettingut, në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i paketës së Reformës në Drejtësi.

Kryeministrit Rama deklaroi javën e shkuar se është rënë dakort dhe me Kryeparlamentarin Meta, që pasi të marrin miratimin e këtij, Komisioni të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme plenare që projektligjet të kalojnë në parlament, në datën 11 Gusht, kur hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese.

Por përfaqësues të opozitës kujtojnë se Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë një set rregullash që normojnë kohën që i duhet parlamentit për të shqyrtuar një ligj që kërkon shumicë të cilësuar për t’u miratuar, duke nënkuptuar se seanca për miratimin e 7 projektligjeve nuk mund të zhvillohet përpara Shtatorit.

Edhe burime nga maxhoranca thonë për Televizionin Klan se përpara 15 Gushtit nuk ka gjasa të mblidhet parlamenti për miratimin e projektligjeve.

Vetë Kryeparlamenti Meta fundjavën që sapo lamë deklaroi se më shumë sesa data e rëndësishme është konsensusi për miratimin e këtyre ligjeve.

Opozita, e cila është duke i shqyrtuar projektligjet dhe ka shfaqur rezerva për projektligjin për vettingun do të shprehet në Komision mbi qëndrimin e saj ndërsa ka deklaruar se mund të ankimojë ligjin në Gjykatë Kushtetuese nëse palët nuk respektojnë procedurat parlamentare dhe marrin veprime të njëanshme.

Tv Klan






Të ngjashme