Nesër përballja titanike
Real Madrid dhe Barcelona në sfidë me mungesa në fushë
Është ndeshja më e mirëpritur nga bota e futbollit, por ‘El Clasico’ e parë e sezonit 2020-2021 do të jetë ndoshta më e çuditshmja ndonjëherë. Në takimin që do të zhvillohet të shtunën duke nisur nga ora 16:00, ‘Camp Nou’ do të jetë tërësisht i boshatisur. Për më tepër të dy klubet të jenë në një krizë si kurrë më parë. Real Madrid nuk po shkëlqen në urdhrat e Zinedine Zidane, ndërkohë që problemet e Barcelonës sa vijnë e shtohen.
Të dyja ekipet vijnë nga një humbje me ekipe modeste si Cadiz dhe Getafe. Sikur të mos mjaftonte forma e dobët, Barcelona nuk do të ketë në dispozicion as dy futbollistë stabël të formacionit, si Marc Ter Stegen dhe Samuel Umtiti. Emocionet e para ndeshjes kanë kapluar trajnerin, Ronald Koeman. Në konferencën për shtyp, holandezi u shpreh se shpreson të fle i qetë, ndërsa shtoi se ekipet kanë presion për rezultat.
“Është një ndeshje e rëndësishme për të dy skuadrat. Tifozët mungojnë dhe kjo do të jetë e çuditshme. Por pak nga pak duhet të mësohemi. Edhe ne, edhe Reali ka presionin e rezultatit. Fusha do e tregojnë potencialin e secilës. Kam emocione, por shpresoj të fle i qetë!”, u shpreh Ronald Koeman.
Ndërkohë nga ana tjetër, tekniku Zinedine Zidane konfirmoi prezencën e Sergio Ramos, teksa shtoi se kjo është një El Clasico ndryshe dhe tepër speciale.
“E dimë se me kë do të përballemi. Është El Clasico ndryshe, por gjithmonë një ndeshje speciale. Sfida me Barcelonën është e veçantë për të dalë nga kjo situatë. Sa i përket Ramos, ai është kapiteni ynë, lideri ynë. Është gati 100% për nesër”, thotw Zinedine Zidane.
Dueli i së shtunës mes Barcelonës dhe Real Madrid do të jetë e 278 në histori, mes takimeve zyrtare e miqësoreve. Katalanasit udhëheqin me 115 fitore kundrejt 100 të mbretërorëve, ndërkohë që 62 janë mbyllur në barazim.
Klan Plus