Netanjahu përfshihet nga skandalet e korrupsionit


Netanjahu përfshihet nga skandalet e korrupsionit

16:22 10/01/2018

S’kanë të mbaruar telashet për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. Mediat vendase kanë publikuar një përgjim audio të të birit, që e rëndon edhe më shumë pozitën e tij, përballë akuzave për korrupsion për të cilat është nën hetim prej një viti.

Në përgjimin e publikuar të martën nga televizioni izraelit “Channel 2” dëgjohet zëri i të birit të Benjamin Netanjahu, Jair. Nën efektin e alkoolit, ai i kërkon një mikut të tij 400 shekel, rreth 110 dollarë për të paguar disa striptiste. Ai i thotë se edhe i ati, Benjamin Netanjahu, i kishte siguruar babait të tij 20 miliardë dollarë.

Bashkëbiseduesi, zëri i të cilit gjithashtu dëgjohet në përgjim është djali i Kobi Maimon, një prej biznesmenëve më të fuqishëm në Izrael. Biseda është regjistruar në vitin 2015 teksa ata shkonin me makinë në një klub nate. Shuma për të cilën flet djali i Netanjahut ka të bëjë me të drejtën e shfrytëzimit të burimeve nëndetare të gazit, firmës së biznesmenit Maimon.

Pas publikimit të përgjimeve, 26-vjeçari kërkoi ndjesë publikisht, duke u justifikuar se ka qenë nën efektin e alkoolit. Ndërsa kryeministri Netanjahu tha se ndaj tij ka nisur një gjueti shtrigash për t’i dëmtuar imazhin para zgjedhjeve parlamentare që mund të mbahen brenda 2 vitesh.

Tv Klan






Të ngjashme