Nga sot maska me detyrim edhe jashtë, gjobë për shkelësit
Akti Normativ që detyron të gjithë qytetarët të mbajnë maska edhe në rrugë ka hyrë në fuqi sot. Sipas vendimit të qeverisë, maska duhet mbajtur në rrugë, në parqe, në hyrje dhe në daljeve të bareve, restoranteve, markeve dhe në çdo ambient tjetër që nuk sigurohet dot distanca me të tjerë.
Maskën duhet ta mbajnë të gjithë qytetarët mbi 11 vjeç, në mjetet e transportit publik, por dhe në ato private nëse nuk udhëtoni vetëm.
Të detyruar për të mbajtur maskë janë dhe të gjithë ata që punojnë në zyra, në institucione publike dhe private, por dhe në institucione fetare, arsimore dhe të kujdesit shëndetësor.
Ndërkohë sipas udhëzimit të ministrisë së Shëndetësisë, maskën nuk do e mbajnë të gjithë ata persona që kanë sëmundje kronike dhe u dëmtohet shëndeti. Barriera mbrojtëse nuk do të mbahet dhe “gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive, nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë, kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të, në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det dhe në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes”.
Për të gjithë personat që nuk nuk zbatojnë këtë Akt Normativ do të ketë një masë ndëshkimore që fillon nga 3 mijë Lekë për herën e parë dhe 5 mijë Lekë për ata që përsëritin shkeljen. Gjoba do të vendoset nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake dhe do të paguhet bashkë me faturën e dritave./tvklan.al