Ngjarja në Lazarat, reagon Ministria e Rendit (24 Janar 1999)


Ngjarja në Lazarat, reagon Ministria e Rendit (24 Janar 1999)

14:58 24/01/1999

Në fshatin Lazarat njerëzit e armatosur kanë keqtrajtuar një banor të lagjes “Punëtori” të Gjirokastrës dhe më pas i kanë marrë makinën.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme tek kthesa e fshatit Lazarat. Taksisti Date Brahimi i cili bënte rrugën Kakavijë -Gjirokastër, ndërsa po kthehej në shtëpinë e tij, është gjendur nën armët e dy personave të maskuar të cilët e kanë zbritur nga makina, e godasin dhe më pas i marrin makinën.

Por taksisti nga Gjirokastra, i masakruar, nuk ka dashur që kjo histori të mbarojë këtu. Sapo kanë mbërritur në lagjen “Punëtori” ai ka organizuar rreth 100 banorë të cilët të armatosur kanë bllokuar rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Më pas turma e irrituar ka bllokuar dy makina që u përkisnin shtetasve nga Lazarati dhe pikërisht njërin prej tyre e kanë keqtrajtuar. Pas acarimit të skajshëm, grabitësit e makinës ia kanë kthyer makinën këtij të fundit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Rendit pohoi se pas ndërhyrjes së Policisë së Gjirokastrës kanë bërë të mundur zhbllokimin e rrugës nacionale nga të dy anët. Sipas zëdhënëses, Ministri Petro Koçi është shprehur se kontrolli i policisë në këtë zonë problematike do të vazhdojë edhe në të ardhmen./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj






Të ngjashme