Ngjarja në Sharrë, Tahiri: Fatkeqësi, po hetohet
Pas akuzave të ish – Kryeministrit Sali Berisha që ndër të tjera e konsideroi vdekjen e të riut Ardit Gjoklaj si vrasje shtetërore, ka reaguar Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Nga salla e Kuvendit ai i konsideroi deklaratat që dalin nga kjo sallë të ulëta dhe një përfaqësim i pamoralshëm i popullit shqiptar. Tahiri tha se kjo sallë duhet të jetë ajo e dijes dhe jo e sharjeve e akuzave.
“Foltore që është mësuar që për interesa politike të shajë, të akuzojë këdo. Politika nuk është kjo, as i përmban e as nuk duhet t’i përmbajë këto lloj baltosjesh në këtë foltore. Ç’nuk kanë dëgjuar këto mure dhe kurrë nuk kanë dëgjuar, falje, diçka të denjë për të përfaqësuar opinionin publik, se ka nxënës që na dëgjojnë jashtë kësaj salle. Kjo sallë është bërë sot më e ulëta dhe më e ndyra. Kjo foltore është bërë përfaqësimi më i pamoralshëm. Unë nuk e pranoj këtë dhe nuk do rresht kurrë bashkë me kolegët e mi, të majtë apo të djathtë ta luftoj. Kjo duhet t
ë jetë salla e dijes. Por jo kshu, me bandidë, me vrasës, kriminelë e drogaxhinjë, jo me këto akuza. Unë nuk kam fyer askënd. Unë nuk e bëj dot këtë, vetëm sepse jemi kundërshtarë politikë”.
Duke folur për vrasjen e të riut në landfillin e Sharrës, Ministri tha se vdekja e tij ishte fatkeqësi dhe theksoi se kjo ngjarje po hetohet dhe hetimet do të vijojnë deri në zbadhjen e plotë të saj. Ai nuk i kurseu akuzat për ish – Kryeministrin Berisha dhe tha se Gërdeci është një ngjarje që duhet hetuar. Akuzave për censurë ndaj medias, Tahiri iu përgjigj me kundërakuza.
“Ajo që ndodhi në Sharrë është fatkeqësi që po hetohet dhe do të vazhdojë hetohet. Mua më vjen shumë keq për familjen e tij dhe për të rinjtë që punojnë për të mbajtur familjen. Por kush flet për vrasje shtetëtore këtu? Njeriu që për Gërdecin thoshte se ishte defekt teknologjik? Si ka mundësi që flet për vrasës shtetëror? Unë nuk pranoj që ky njeri që ka lënë pas 26 viktima në Gërdec dhe thoshte që ishte aksident teknologjik, të vijë të denoncojë. Për cilët artikuj në mediat botërore e keni fjalën? Për artikuj që paguhen nga këtu? Dhe kush flet për lirinë e medias, njeriu që u shpall ai që digjte redaksi. Ku ishit ju kur dhunoheshin gazetarët e digjeshin redaksitë? Kjo nuk është Shqipëria që duam, politika që duam. Askush nga ju nuk ka të drejtë të drejtojë gishtin dhe të flasë për lirinë e medias”.
Duke folur për situatën e kanabisit dhe akuzave ndaj tij dhe qeverisë, Tahiri rikujtoi edhe një herë raportin e Guardia di Finanza dhe ripërsëriti se sipas këtyre të dhënave, sot kultivohet shumë më pak kanabis se në kohën e qeverisë së shkuar.
“Ju kam dëgjuar shumë për kanabisin, nuk e kam problem të më akuzoni, e kam pranuar si kosto politike. Por përtej kësaj, ka disa të dhëna konkrete, që jua thanë fare qartë që sot kultivohet shumë më pak kanabis se në kohën kur ishit ju në detyrë. E nëse DASH dikur e konsideronte kultivimin shumë të madh, sot ky i fundit e konsideron punën e Policisë së Shtetit shumë të madhe.
Ata që ju i etiketoni kolumbianë e trafikantë janë shqiptarë që prej 20 vitesh janë lënë në varfëri dhe me të drejtën e tyre kërkojnë një mënyrë për të bërë para të shpejta. Por nuk janë ata trafikatët e vërtetë. Trafikantët e vërtetë janë ata që kanë drejtuar këtë vend prej 20 vitesh që e kanë lënë vendin në varfëri duke e gjunjëzuar”.
/tvklan.al