Ngjarjet kriminale, Xhafaj: Zbardhja lë për të dëshiruar. Ndryshime edhe në policinë e Vlorës
I pranishëm në mbledhjen në Vlorë, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj vuri në dukje se ekziston një mungesë efiçence në policinë e këtij qarku duke sjellë në vëmendje disa ngjarje kriminale, që mbeten të pazbardhura.
Për këtë arsye ai paralajmëroi lëvizje në strukturat e saj.
“Është e papranueshme fakti që vetëm gjatë këtij viti janë 5-6 ngjarje të rënda, vrasje me viktima dhe jetë të pafajshme qytetarësh dhe zbulimi i autorëve lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë që për ne është jashtëzakonisht shqetësues. Gjë që do na detyrojë të bëjmë një analizë më të thellë me forcat e policisë dhe duhet të jetë e nevojshme për të bërë edhe ndryshimet edhe përmirësimet e duhura, qoftë në përbërje të tyre qoftë në drejtimin e tyre, por është shumë e rëndësishme këtu për të theksuar edhe një komponent të ri.
“, u shpreh Xhafaj.
Ai u shpreh se duhet ndërtuar një marrëdhënie e re ndërmjet organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të policisë. Policisë dhe komunitetit.
“
Këtu është përgjegjësia jonë dhe së bashku me organet e qeverisjes vendore dhe organe të tjera përfaqësuese në territor bëjmë kthesën e duhur, në mënyrë që të kemi mundësi të ndërtojmë një marrëdhënie krejtësisht të re, ndërmjet strukturave të policisë dhe organeve të qeverisjes vendore. Ndërmjet policisë dhe qytetarëve”
, tha Ministri më tej.
Xhafaj foli edhe për situatën e kanabisit dhe suksesit të policisë në këtë qark.
“Kjo në funksion të nevojës që kemi për të pasur më shumë efikasitet në parandalimin e krimit, por edhe për një kontroll më të mirë të territorit. Sepse është një fakt i njohur që në disa nga zonat ose në disa nga fshatrat, zonat rurale të Vlorës, gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe mbjellje të kanabisit.
Ashtu siç është edhe sot një realitet i prekshëm që ky fenomen nuk ekziston më. Pse nuk ekziston më? Edhe në sajë të faktit se kemi një marrëdhënie të re ndërmjet policisë dhe komunitetit”.
Xhafaj u shpreh besimplotë se në radhët e strukturave të policisë të qarkut të Vlorës ka punonjës dhe drejtues policie me shumë integritet, të cilët ai theksoi se do të duhet që të jenë shumë efikas në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
/tvklan.al