Ngjarjet në burgje, PD: Siguria në vend përkeqësohet çdo ditë


Ngjarjet në burgje, PD: Siguria në vend përkeqësohet çdo ditë

14:55 31/07/2016

Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për dy ngjarjet e ndodhura ditën e djeshme, ajo në burgun e Shënkollit të Lezhës, ku si pasojë e zjarrit mbeti i vrarë një 25 – vjeçar dhe u plagosën 7 të tjerë, si dhe për ngjarjen e Vaqarrit, ku u plagos një i dënuar, në një atentat jashtë burgut.

“Brenda ditës, në dy burgje që edhe emërtesën e kanë institucione të sigurisë, kanë ndodhur ngjarje tronditëse që dëshmojnë se siguria në vend përkeqësohet çdo ditë pa kthim.

Plagosja me armë nga jashtë, e një të dënuari në Vaqarr gjatë orarit të ajrosjes dhe shpërthimi i zjarrit që mori jetën e një të dënuari tjetër në burgun e Shënkollit, tregojnë degradimin total të çdo standardi sigurie në vend, nën qeverisjen e Edi Ramës që edhe burgjet si çdo sektor tjetër i sheh si një mundësi pasurimi e punësimi militantësh e si një hambar të madh tenderash.

Kur nuk ka siguri në institucionet e sigurisë së lartë, atëhere pasiguria ka pllakosur vendin dhe qytetarët nuk gëzojnë të drejtën dhe mbrojtjen minimale.

Vetëm një muaj më parë, u pushtua me maska e me armë aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend dhe për këtë ngjarje e këto zhvillimet e djeshme në burgje, ende nuk ka asnjë përgjegjësi. Rrugët përgjaken çdo ditë nga aksidentet, krimet kundër jetës janë shtuar, ndërsa Edi Rama bën propagandë me tollonin e naftës.

Kryeministri në ikje ia ka lënë vendin bandave e trafikantëve të tij, me pushtetin që ndan çdo ditë me krimin.

Partia Demokratike garanton qytetarët që do të shtypë pa mëshirë krimin e do të sjellë për shqiptarët rend e siguri”.

/tvklan.al






Të ngjashme