Ngjarjet në dy burgjet, reagon Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me ngjarjet e ndodhura sot në dy burgjet shqiptare, atë të Shënkollit në Lezhë dhe atë të Vaqarrit në Tiranë.
Sipas Ministrisë, sot rreth orës 16.00 në IEPV Lezhë është vënë re prezencë zjarri në njërën nga qelitë e këtij insitucioni. Forcat zjarrfikëse dhe policia e burgjeve kanë ndërhyrë menjëherë për shuarjen e zjarrit. Në vendngjarje është gjetur i asfiksuar dhe pa shenja jetë i paraburgosuri F. Sula.
Dyshimet paraprake lidhen me një zjarrvënie aksidentale si pasojë e shpërthimin të një bombule gazi për gatim. Hetimet vijojne për të përcaktuar detajet e mëtejshme të ngjarjes.
Sipas njoftimit, Ministri Manjani dhe autoritet e sistemit penitenciar po e ndjekin me vemendje ngjarjen. Gjendja momentalisht po shkon drejt normalitetit, ndërsa janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për mbajtjen nën kontroll të plotë të situatës.
Ndërkohë, sot rreth orës 16.00 në IEPV Vaqarr është plagosur me armë zjarri, nga jashtë institucionit një i paraburgosur, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria e Burgjeve informon se po kryhen të gjitha veprimet hetimore dhe situata paraqitet e qetë./tvklan.al