Ngricat rikthejnë problemet në Europë dhe Azi


Ngricat rikthejnë problemet në Europë dhe Azi

22:49 04/01/2010

Moti i keq duket se ka tërhequr këmbën zvarrë edhe në 2010. Azia dhe Europa janë pushtuar nga reshje të dendura shiu dhe dëbore. Bangladeshi është vendi më i goditur nga moti i keq. 25 persona kryesisht të pastrehë kanë humbur jetën nga temperaturat e ulëta.

Stuhitë e dëborës dhe temperaturat shumë të ulëta kanë sjellë në pjesë të tëra të Kinës Veriore dhe në kryeqytetin kinez Pekin gati një paralizë të jetës publike. Shkollat janë mbyllur.

Të hënën dhe të martën pritet një zbritje e temperaturës deri në minus -16 gradë që është edhe temperatura më e ulët në kryeqytet që prej 40 vjetësh.

Edhe pjesë të Koresë së Jugut dhe kryeqyteti Seul janë prekur shumë nga dimri. Rënia e dendur e dëborës, që prej 70 vjetësh ka paralizuar qarkullimin rrugor dhe ajror të vendit. 

Në europë ndërkaq temperaturat janë të acarta. Berlini u zgjua në të ftohtë, ndërsa termometri shënoi -4 gradë. Në Bruksel autoritetet këshilluan shoferët të tregojnë kujdes nga ngricat, ndërsa në Britaninë e Madhe 60 persona janë bllokuar në një klub për 3 ditë rrjesht. Taverna Tann Hill ndodhet 518 metra mbi nivelin e detit dhe reshjet e mëdha të dëborës e kanë izoluar atë tërësisht nga rruga.

Personat që ishin mbledhur për të festuar Vitin e Ri kanë qëndruar të izoluar për tre ditë, duke mos mundur të dalin prej andej. Gazetat britanike i kanë kushtuar një vend të veçante ngjarjes së rrallë, duke e pagëzuar me titullin: “Festa e fundvitit më e gjatë në vend”.

Tv Klan






Të ngjashme