Ngrihet grupi i punës për votimin e emigrantëve
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka ngritur grupin e punës lidhur me mundësinë e votimit nga jashtë, për zgjedhjet për Kuvend të 25 Prillit.
Grupi i punës do të ketë disa detyra, një prej tyre, vlerësimi i mundësisë së votimit nga jashtë vendit të shqiptarëve me të drejtë vote dhe që e kanë rezidencën jashtë territorit të republikës.
Grupi i punës duhet të përgatisë një vlerësim mbi llojin, procedurën e votimit, manuale ose elektronike, duke marrë në konsideratë kushtet e vendit tonë.
“Të përgatisë një vlerësim mbi procesin e votimit dhe administrimin e votave dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e zgjedhjeve. Të bëjë një vlerësim të përgjithshëm mbi kostot financiare. Të përgatisë një listë me akte juridike dhe protokolle teknike që do të bëjnë të mundur votimin nga jashtë vendit. Të prezantojnë modele të këtij lloj votimi në vende të ndryshme”, janë disa nga detyrat e tjera të grupit të punës.
Në përfundim do të paraqitet një raport që do t’i dërgohet Celibashit. Afati i dorëzimit për këtë raport është data 15 Nëntor. /tvklan.al