GJK-ja me 6 anëtarë, Basha: Lajm i mirë, por i vonuar


GJK-ja me 6 anëtarë, Basha: Lajm i mirë, por i vonuar

13:07 26/12/2020

“Duhet ndryshim pushteti, drejtësia kontrollohet nga qeveria”

3 vjet pas bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese, Lulzim Basha akuzon për pengmarrje të drejtësisë kundërshtarin e tij politik. Plotësimin me 6 anëtarë të këtij organi e sheh si lajm të mirë, por nuk rezervohet të thotë se është një proces shumë i vonuar.

“U deshën 3 vjet të plotësoheshin vakancat në Gjykatën Kushtetuese, që sigurisht është një lajm i mirë por shumë i vonuar”, tha ai.

Një nga garancitë e shtetit të së drejtës është ndarja edhe balancimi i pushteteve. E që të ndodhë “trias politica”, studentëve të drejtësisë u tha se investimi  i parë i reformës në drejtësi është ndërrimi i pushtetit në 25 Prill.

“Sepse sa kohë që drejtësia është në kontrollin e legjislativit dhe ekzekutivit çfarëdo që të bësh, përpjetë të hidhesh, nuk ka për të patur drejtësi, por ka për të patur korrupsion, pandëshkueshmëri. Askush nuk do të mund ta akuzojë qeverinë e ardhshme se e ka marrë peng drejtësinë, por ne do ta shtyjmë, do ta stimulojmë që të bëjë detyrat e saj, duke nisur me luftën kundër korrupsionit, duke bërë shembuj konkretë që ta zmbrapsim këtë bilanc të tmerrshëm: 7.2 miliard euro në 7 vite”.

Shumë prej të rinjve të ardhmen e shohin jashtë vendit, por Basha premtoi se nesër në qeveri, plani ekonomik i Partisë Demokratike parashikon jo vetëm arsimim falas për familjet me të ardhura me më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, por njëherazi edhe mundësi punësimi.

Tv Klan






Të ngjashme