“Niçja” i Avdylajve punonte në Portin e Durrësit, u shkarkua një ditë pas arrestimit
Njëri prej pjesëtarëve të familjes Avdyli nga Shijaku, ishte punonjës në Autoritetin Portual të Durrësit. Altin Avdyli, ose siç njihej ndryshe me pseudonimin “Niçja” nga Shijaku, ishte shofer në sektorin e Mbrojtjes së Shëndetit, Drejtorisë së Mjedisit, Sigurimit Teknik dhe Emergjencave në Portin e Durrësit. Ai është shkarkuar nga detyra më 22 Tetor, një ditë pasi u arrestua nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Vol-Vo4”.
Dokumenti i lirimit të tij nga detyra është publikuar në Facebook nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
Altin Avdyli ose “Niçja” ishte në mesin e të arrestuarve gjatë superaksionit të policisë në të gjithë vendin në fundjavë, ku u goditën 4 grupe kriminale. Policia e Shtetit tha se ai ishte pjesë e bandës së Avdylajve të Shijakut, të akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, trafik droge në formën e një grupi të strukturuar kriminal.
Në shkresën e Portit të Durrësit thuhet se Altin Avdyli u shkarkua nga detyra një ditë pas arrestimit, pra ditën kur Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht për operacionin e kryer dhe bëri publike emrat e të arrestuarve.
/tvklan.al