Nis gjyqi ndaj mafies ruse në Spanjë


Nis gjyqi ndaj mafies ruse në Spanjë

20:50 19/02/2018

Deputeti rus Vladislav Reznik dhe 17 të dyshuar të tjerë kanë dalë përpara gjyqit në Madrid të akuzuar për pastrim parash për llogari të një bande mafioze ruse.

Dy drejtuesit e dyshuar të bandës, Genadi Petrov dhe Aleksander Malishev janë ende të lirë dhe besohet të jenë në Rusi. Disa të dyshuar pretendohet se kanë lidhje me qeverinë ruse.

Para trupës gjykuese, deputeti Reznik tha se do të provojë pafajësinë e tij. Hetimi për pastrimin e parave në Spanjë të këtij grupi mafioz ka nisur që në vitin 2008, kur policia realizoi operacionin “Trojka” duke arrestuar 20 pjesëtarë të dyshuar të mafies ruse.

Pastrimi i parave nga gangsterët rusë në Spanjë thuhet se ka nisur në vitet 1990, kur pasanikë rusë blenë vila luksoze në Kosta del Sol dhe ishujt Belearik. Prokurorët spanjollë besojnë se janë pastruar mbi 50 milionë Euro të mafies ruse.

/tvklan.al






Të ngjashme