Nis gjyqi për Emiljano Shullazin dhe bandën e tij
Emiljano Shullazi ka zgjedhur të jetë i pranishëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda në seancën e parë të procesit gjyqësor në ngarkim të tij.
Përveç gjeneraliteteve të cilat ia kërkoi Gjykata, ai nuk ka kryer asnjë komunikim tjetër. Në sallë u paraqitën edhe miqtë e Shullazit, të arrestuarit Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Qyqja dhe Endri Zela. Mbi ta rëndon akuza e grupit të strukturuar kriminal, gjobëvënia si dhe kanosje për shkak të detyrës.
Pavarësisht prezencës se palëve në proces të Prokurorisë, avokatëve dhe 5 të pandehurve seanca e orës 11 e kësaj të mërkure u shty për në orën 15 për shkak të mungesës së një gjykatësi. Seanca është rihapur përsëri, por avokati i Blerim Shullazit ka kërkuar të njihet me aktet . Për këtë arsye gjykata ka shtyrë për në datën 23 maj procesin.
Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për gjobëvënie ndaj tre biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku të cilëve ua kanë marrë shuma të mëdha parash dhe pronash me anë të kërcënimit në periudha të ndryshme kohe. Ata akuzohen për kërcënimin ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, që ky i fundit të tërhiqej nga gara për rektor./ TV KLAN