Nis zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë
Largohen barrikadat dhe njësia speciale. Hyn KFOR
Largimi i këtyre kamionëve të tonazhit të rëndë shënoi hapjen e rrugës që të çon në pikën e kalimit të Jarinjës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Por nuk ka qenë aq i lehtë nisja e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel 2 ditë më parë mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Pas 13 ditësh bllokadë, makinat e KFOR-it ishin të parat që u futën në rrugën që të dërgon në Jarinjë pasi protestuesit serbë që në orët e para të mëngjesit kishin liruar një korsi të rrugës.
Por edhe me mbërritjen e njësive të KFOR-it protestuesit serbë refuzonin të largoheshin pa u tërhequr më parë njësia speciale e Kosovës ndërsa kjo e fundit këmbëngulte se fillimisht duhet të liroheshin rrugët dhe të largoheshin protestuesit. Janë dashur rreth 2 orë negociata që të nisë heqja e barrikadave serbe dhe më pas forcat speciale të largohen. I fundit mbeti një kamion me një banderolë ku shkruhej “Mirësevini në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”. Forcat speciale janë rikthyer sërish në Jarinjë derisa është larguar edhe ai. Protestuesit e kanë shoqëruar këtë me thirrje për Serbinë.
Kryetari serb i Komunës së Leposaviçit, Zoran Todiç tha se ishte i angazhuar të mos kishte incidente.
“Kemi bërë atë që është kërkuar. Kryesorja është të ruajmë paqen dhe të kthehemi në normalitet”.
Më pas forcat speciale të Kosovës janë kthyer në Prishtinë duke ia lënë në dorë situatën në Jarinjë dhe Bërnjak, KFOR-it që do të qëndrojë aty për 2 javë sipas marrëveshjes. Rrugës forcat speciale janë përshëndetur me duartrokitje dhe lule nga qytetarët.
Sipas marrëveshjes së Brukselit, nga e hëna më nuk do ketë nevojë për targa të përkohshme për qytetarët e Kosovës që futen në Serbi dhe anasjelltas. Simbolet shtetërore në targa do të mbulohen me pulla ngjitëse. Kjo do të zgjasë derisa të krijohen grupet e punës në të dyja vendet të cilat do të takohen në 21 tetor në Bruksel. Ato do të kenë 6 muaj afat për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për çështjen e targave. Zhbllokimi i situatës në veri u përshëndet menjëherë nga ambasada amerikane në Kosovë.
Tv Klan