Nis ndërtimi i rrjetit të ri të Ujësjellësit
Me investimin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ri të Ujësjellësit në rrugën “Besim Imami”, 700 banorë të kësaj zone nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë. Gjatë inspektimit të kryerjeve të punimeve, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se përveç këtij investimi, shumë shpejt fillojnë edhe projektet infrastrukturore.
“Iu përgjigjëm thirrjes së disa banorëve, të cilët kanë vërejtur se Bashkia po bën investime si në infrastrukturën sipërfaqësore, ashtu edhe në atë nëntokësore. Aktualisht, po bëjmë rrjetin e ri të Ujësjellësit, mandej do të vijojmë me urbanizimin, asfaltin, trotuaret, dhe hapësirat e sheshet mes pallateve”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bëri thirrje të gjithë banorëve që të mos shpërdorojnë ujin e pijshëm, pasi të gjithë ata që e përdorin për lavazh ose për të ujitur parcelën do të gjobiten. Përfundimi i projektit të rikonstruksionit të linjës së Ujësjellësit në rrugën “Besim Imami”, eliminon humbjet e mëdha që shkaktoheshin nga amortizimi i këtij rrjeti, i cili është i ndërtuar para viteve 1980.
Tv Klan