Nis përgatitja e pakove ushqimore
Xhaçka: Durim, do të ndihmohet çdo familje në nevojë
Pensionistët kryefamiljarë dhe familjet në nevojë do të kenë shumë shpejt ndihmat e para për të përballuar situatën e krijuar nga rreziku i virusit COVID-19.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ishte te Rezervat e Shtetit ku pa nga afër punën që po bëhet për përgatitjen e pakove që do t’u shpërndahen kësaj shtrese sociale.
E shoqëruar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, ministrja Xhaçka u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim duke i siguruar ata se do kenë mbështetjen maksimale të strukturave shtetërore.
“Dua t’u them të gjithëve se jemi të gjithë bashkë në këtë luftë! I mirëkuptojmë maksimalisht hallet, stresin, pasigurinë për gjërat bazike, por ju lutemi të gjithëve të kenë besim dhe të bëjnë durim! Që në momentin e parë të përshkallëzimit të masave jemi angazhuar bashkë me rezervat e shtetit, emergjencat civile, bashkitë dhe po përgatisim mbështetjen e atyre që janë më në nevojë.
Fokusi ynë janë pensionistët kryefamiljarë dhe familjet më të varfra. Do t’u shërbejmë me përkushtim maksimal dhe me gjithçka kemi mundësi. Ju lutem të gjithëve të na mirëkuptojnë sepse na duhet pak kohë. Edhe vende më të zhvilluara po përballen me vështirësi të paimagjinueshme!
Ju lutem durim dhe vetëm durim, kjo është luftë në kuptimin me të vërtetë të fjalës dhe prandaj të gjithë duhet të kufizojmë çdo gjë që mundemi. Mirënjohje për mirëkuptimin mbarë popullor dhe kontributin fantastik të secilit! Sa më shumë të vetëkufizohemi sot aq më pak plagë e humbje jetë do kemi në këtë luftë”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Pakot që po përgatiten te Rezervat e Shtetit dhe që do t’u shpërndahen pensionistëve kryefamiljarë dhe familjeve në nevojë përmbajnë kryesisht produkte ushqimore bazë dhe detergjentë.
Shpërndarja e këtyre pakove do bëhet nga Komanda Mbështetëse në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe pushtetin lokal./tvklan.al