Nis projekti i rikualifikimit urban në zonën e Doganës
Një bllok banimi mbi 34 hektarësh në zonën e Doganës, në Laprakë ka nisur të rikualifikohet me rrugë, trotuare, infrastrukturë elektrike, kanalizime, sinjalistikë dhe siguri rrugore nga Bashkia e Tiranës.
Rikualifikimi urban i zonës, e cila përbëhet nga 35 segmente rrugore, ku kryesisht mbizotërojnë shtëpi banimi private të ndërtuara në vitet e tranzicionit, pritet t’i japë asaj pamjen e një lagjeje moderne. Paralelisht po zbatohet edhe projekti i UKT-së, për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet që kanë nisur aty prej disa ditësh, theksoi se projekti respekton të njëjtat standarde të larta si në çdo punë tjetër publike. Ai gjeti rastin të falenderojë banorët që kanë bashkëpunuar me Bashkinë për të tërhequr muret e banesave të tyre dhe për të lejuar zhvillimin e projektit. Nisur nga fakti se në këtë zonë mbizotërojnë ndërtimet informale, Veliaj ka theksuar se pasi të përfundojë procesi i legalizimit nga qeveria dhe procesi i urbanizimit nga Bashkia, banorët e kësaj lagjeje duhet të kuptojnë se jo vetëm duhet të mbrojnë këto investime, por edhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm për të paguar gjitha detyrimet ndaj Bashkisë dhe qeverisë. Nga ana e saj, deputetja e PS, Vasilika Hysi ka vlerësuar faktin që Bashkia e Tiranës e ka rikthyer vëmendjen ndaj zonave që më parë kanë qenë tërësisht të harruara dhe për të cilat nuk ka patur asnjëherë investime. Përveç punimeve në infrastrukturën rrugore dhe atë të nëndheshme, projekti i rehabilitimit të kësaj zone parashikon edhe ndërtimin e rrjetit të ri të ndriçimit rrugor në të gjitha sheshet ku do ketë ndërhyrje, vendosjen e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale. Gjithashtu, në këtë objekt do të rindërtohen rreth 2660 ml mure rrethuese të banesave të cilat u prishën për të zgjeruar rrugët ose për ndërtimin e trotuareve./tvklan.al