Nis shpërndarja e vaksinave Pfizer/BioNTech në vendet e BE-së


Nis shpërndarja e vaksinave Pfizer/BioNTech në vendet e BE-së

11:38 24/12/2020

Nga 27 deri 29 Dhjetor, vaksinimi nis në të gjitha vendet e unionit

Këto pamje janë xhiruar në magazinat e fabrikës së firmave farmaceutike Pfizer/BioNTech në Belgjikë, nga ku janë nisur ngarkesat e para me dozat e vaksinës antiCovid për Bashkimin Europian.

Shpërndarja pritet të përfundojë brenda 2 ditësh, që më 27, 28 dhe 29 Dhjetor të nisë vaksinimi në të gjitha vendet e unionit. Këtë e konfirmoi përmes Twitter-it edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përmes Twitterit ku përsëriti se në gjithë vendet anëtare, vaksinimi do të nisë njëherësh.

Ngarkesat e para përbëhen nga 12.5 milionë doza, me të cilat do të vaksinohen stafi mjekësor dhe të moshuarit që janë kategoritë më të rrezikuara. Dozat transportohen në kamionë frigoriferikë që garantojnë ruajtjen gjatë transportit në temperatura deri minus 70 gradë Celcius.

Qendrat e vaksinimit janë gati në të gjitha vendet anëtare. Pas aprovimit të Shtunën e kaluar nga agjencia europiane e barnave të vaksinës Pfizer/BioNTech, pritet që në ditët fundit të këtij viti ose në të parat e vitit të ardhshëm të marrë miratimin edhe produkti tjetër i firmës Moderna.

Vendet e BE-së pritet të furnizojnë me vaksina edhe fqinjët si Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Vitin e ardhshëm synohet vaksinimi i mbi 400 milionë banorëve të kontinentit.

Tv Klan






Të ngjashme