Niset kërkesa për ekstradimin e Arben Frrokut


Niset kërkesa për ekstradimin e Arben Frrokut

15:37 29/04/2016

Në kohë rekord, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për të plotësuar dokumetacionin për ekstradimin e Arben Frrokut.

Dosja prej 140 faqesh, për të sjellë në Shqipëri të dënuarin me burg përjetë, me vendim të formës së prerë nga Apeli i Krimeve të Rënda, për vrasjen e Komisar Dritan Lamajt, është plotësuar një ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej kësaj të premteje po përkthehet në Ministrisë së Drejtësisë.

Kërkesa do t’u përcillet autoriteteve holandeze javën që vjen dhe në bazë të praktikave, brenda 45 ditëve, Frroku mund të sillet në Shqipëri, ku pritet të vuajë dënimin.

Gjithsesi, vendimin për ekstradim e marrin autoritetet holandeze.

Arben Frrokut i ka mbetur vetëm një shkallë gjyqësori për të ezauruar në Shqipëri, Gjykatën e Lartë. Siç shihet edhe nga faqja zyrtare e Gjykatës së Lartë, Frroku ka bërë rekurs në datën 28 Korrik 2015, një muaj pasi u dënua nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda me burgim të përjetshëm.

Frroku u arrestua në Greqi më 24 Shkurt 2013.

Në 3 Prill 2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e shpalli atë të pafajshëm, duke rrëzuar pretendimet e prokurorisë.

Por në 29 Qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e dënoi me burgim të përjetshëm. Dy ditë përpara këtij vendimi, Frroku ishte ndaluar në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë dhe më pas i humbi gjurmët.

Xhevahir Zhabina/Tv Klan






Të ngjashme