Nishani: I pamundur shorti për Këshillin e Emërimeve, është jo efektiv në mungesë të ligjeve organike


Nishani: I pamundur shorti për Këshillin e Emërimeve, është jo efektiv në mungesë të ligjeve organike

15:16 16/08/2016

Në ditën kur duhet të hidhte shortin për anëtarët e Këshillit të Emërimeve pas përmbushjes së afatit 5 ditor nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese në 11 gusht Presidenti i Republikës, njoftoi se e ka të pamundur të ushtrojë këtë të drejtë sipas afateve që përcakton Kushtetuta.

Ai thotë se përsa kohë mungon ligji i posaçëm që përcakton kriteret e tjera për kualifikimin e kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit apo edhe ligji i organizimit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese.

Bujar Nishani – President i Republikës:

“Ndodhemi në rastin e rezervës ligjore absolute, ku norma kushtetuese ia rezervon vetëm ligjit rregullimin e kritereve të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve, të cilët do t’i nënshtrohen shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Duke marrë në konsideratë që Këshilli e Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale, çmoj se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.”

Për ngërçin e krijuar nga ky vakum ligjor presidenti thotë se ka gjetur edhe mirëkuptimin e partive politike në takimin që pati me krerët e grupeve parlamentare duke kërkuar që të rishihen edhe dispozitat e tjera kushtetuese për të shmangur çdo situatë të ngjashme.

Bujar Nishani – President i Republikës:

“Faktori politik ka pranuar se Kushtetuta në shumë raste ka referuar në ligje të tjera të posaçme, të cilat e bëjnë të mundur zbatimin e Saj, dhe njëkohësisht ka pranuar se është e pamundur të respektohen afatet e vendosura me qëllim ushtrimin e një kompetence efektive nga Presidenti i Republikës dhe për më tepër të respektimit të kushtetutshmërisë funksionale. Afatet e vendosura nuk mund të respektohen dhe çmoj se dispozitat përkatëse të Kushtetutës duhet të rishihen, referuar edhe ligjeve të tjera referuese që do të miratohen”

Pesidenti i Republikës u bën thirrje palëve politike që të angazhohen për të arritur sa më parë konsensusin për të miratuar ligjet e tjera të posaçme, pa të cilat Kushtetuta e ndryshuar nuk mund të zbatohet.

Tv Klan






Të ngjashme