Nishani mbledh KSK për kanabisin. Mungon Rama, në vend të tij Zv/Kryeministri Peleshi
Presidenti i Republikës do të mbledhë sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vend.
Por ashtu sikur Televizioni Klan kishte mësuar një javë më parë, Kryeministri Rama nuk do të jetë i pranishëm.
Kreu i qeverisë ka fluturuar drejt SHBA, ku në orën 06:00 me orën lokale të New Jork -ut, do të çelet ekspozita e tij personale me piktura, në galerinë
Marian Goodman
, siç është njoftuar prej javësh në faqen zyrtare të Galerisë njujorkeze.
Televizioni Klan mësoi se zyra e Kryeministrit i ka komunikuar zyrës së Presidencës pamundësinë e pjesëmarrjes për arsye madhore. Kryeministri ka propozuar të përfaqësohet nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, çka është pranuar nga kreu i shtetit.
Edhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli kishte kërkuar që të përfaqësohet nga zëvendësi i saj, Petro Koçi. Por përgjigjia e Presidentit ka qenë refuzuese, me argumentin se çështjet që do të diskutohen janë jashtë kompetencave dhe mundësive për t’u trajtuar nga Zëvendësministri.
Televizioni Klan ka mësuar se Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të jetë pjesë e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, po ashtu dhe Kryeprokurori dhe Kreu i Shërbimit Informativ. Që të tre janë ftuar nga Presidenti për të referuar në lidhje me kultivimin e kanabisit. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë do të jetë edhe Kryeparlamentari, Ilir Meta, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Tv Klan