Nishani në OKB: Shqipëria e angazhuar në luftën ndaj terrorizmit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu drejtua me një fjalë sesionit të 71 -të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kreu i shtetit vuri fillimisht theksin tek përpjekjet e Shqipërisë për t’iu përshtatur sfidave të sotme të mbrojtjes së klimës, forcimit të paqes dhe sigurisë, si dhe për përmirësimin të të drejtave të njeriut. Çështje kryesore, sipas Nishanit, mbetet sot lufta ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa nënvizoi bashkëjetesën fetare në Shqipëri.
“Vendi im do të vijojë me vendosmëri të jetë e angazhuar dhe kontribuojë edhe në nivel rajonal për të adresuar dhe dhënë përgjigje ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të “luftëtarëve të huaj”, si dhe për promovimin e ideve dhe programeve, të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare.
Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare, por edhe nevoja për adresimin e kësaj sfide brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional”.
Presidenti shqiptar tha se Shqipëria mbetet e angazhuar në integrimin evropian duke e konsideruar BE -në një nxitës të pazëvendësueshem për reformat, duke veçuar Reformën në Drejtësi.
“Marrja e statusit të vendit kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara. Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas BREXIT, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën”.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim edhe me anёtarё dhe drejtues tё Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë. Në qendër të diskutimit ishin situata nё Shqipёri, Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe marrёdhёniet dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara. Presidenti u takua edhe me Kryeministrin e Rumanisë, Daçian Çiolosh.
Tv Klan