Nishani në SHBA: Na duhet të luftojmë korrupsionin
Presidenti Nishani gjatë qëndrimit në SHBA ka përshëndetur Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare në tubimin e mbajtur në Manhatan, “Rrjeti i bizneseve të Diasporës Shqiptare”, ku ishin të pranishëm dhe senatorë amerikanë, si dhe Kryeministri i Kosovës, Mustafa, e Ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi.
Kreu i Shtetit i ka vlerësuar sipërmarrësit si lidershipin e vërtetë të çdo vendi, ndaj ai kërkon që qeveritë të nxisin zhvillimin ekonomik pasi për të shteti ka detyrime ndaj komunitetit të biznesit.
“Na duhet të luftojmë korrupsionin, dhe kjo kërkon dhe arrihet me vullnet të fortë. Por duhet të mësojmë shumë edhe nga përvoja juaj e vyer. Idetë tuaja, sukseset që keni arritur, frymëzojnë dhe promovojnë histori suksesi.
Ne besojmë tek idetë tuaja si biznesmenë, dhe mund të arrijmë sukses duke i vënë në përdorim ato ide, duke rritur aftësitë manaxhuese, duke arsimuar brezat e rinj si dhe duke kombinuar praktikat dhe përvojat më të mira me idetë e frytshme.
Ju inkurajoj të gjithëve të bashkërendoni bizneset dhe të ndermerrni veprime konkrete. Unë besoj në vullnetin e qeverive për zhvillimin e ekonomisë, por gjithësesi duhet të ushtrohet trysni pozitive mbi qeveritë dhe institucionet. Tani është koha e duhur! Duhen ndërthurur investimet me idetë e mira.”
Po në Manhatan nën kujdesin e Presidentit dhe zonjës e parë Odeta Nishani u organizua nga Albanian Excellence në Symphony’ Space Theater të Manhatanit, një takim kulturor-shoqëror ku nënshkruan Memorandumin “Imazhi i Gruas Shqiptare në Shekullin XXI”.
Gjatë kësaj veprimtarie, Presidentit Nishani iu dorëzua Çmimi i Anëtarit të Nderit nga Albanian Excellence me motivacionin: “Si simbol i unitetit kombëtar dhe për rolin e tij të padiskutueshëm në vlerësimin dhe evidentimin e vlerave të suksesit njerëzor të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Zoti Nishani, si President i Republikës së Shqipërisë, me personalitetin dhe largpamësinë e tij, ka ndikuar në forcimin e Diasporës shqiptare si një potencial i madh njerëzor, kulturor, shkencor dhe si një mbështetje e fuqishme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë.”
“Ju faleminderit për suprizën e këndshme. Ndihem shumë i gëzuar, madje sinqerisht dhe i prekur kur shoh se ideja e prezantuar më tepër se një vit më parë nga zonja Flora Nikolla në zyrën time, është bërë realitet, ide e cila në thelb ka figurën e gruas, të zonjës shqiptare.
Duke shfletuar librin “Zonjat shqiptare në Nju-Jork” kuptova se për çdo grua të intervistuar në të nuk kishte fort rëndësi sakrifica apo vështirësia, me të cilat jeni hasur duke i kapërcyer, por forca, rezultat, frytet e suksesit.
Me zemër e me shpirt çdo ditë e më shumë shkëlqeni si margaritarë me arritjet tuaja profesionale, njerëzore dhe shoqërore, për më tepër prindërore!
Ju, si pjesë e Diasporës Shqiptare në tërësi, jeni një potencial i jashtëzakonshëm, një mbështetje mjaft e çmuar në interes të përparimit të vendit dhe të kombit tonë, jo thjesht në nocionin numerik, por për kapacitetet tuaja intelektuale, cilësore, për sfidat që keni kapërcyer, prandaj po jua paraqes një kërkesë, si lutje, si mik: Vazhdoni kështu!”
Në këtë mbrëmje u shfaq një etyd homazh kushtuar Nënë Terezës, u luajtën mjeshtërisht disa pjesë muzikore dhe këngë shqiptare, dhe më pas u vlerësuan zonjat me karriera të suksesshme profesionale me Trofeun e Ekselencës.
Tv Klan