Nishani në takimin e liderëve të SEECP


Nishani në takimin e liderëve të SEECP

14:30 01/06/2016

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë në takimin e Liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, krahas shumë krerësh shtetesh dhe qeverish. Ky Samit përkon dhe me 20 – vjetorin e themelimit të kësaj organizate.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, me Presidentin e Bullgarisë dhe me Presidenten e Kroacisë që ishte edhe Trojka drejtuese e SEECP-së, Nishani theksoi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë dhe në sektorë të rëndësishëm ekonomikë në mënyrë, që vendet e rajonit të bëhen sa më parë anëtare të Bashkimit Europian.

“Ne kemi bërë përpjekje dhe ia kemi arritur që të zgjerojmë kufijtë e NATO-s dhe të Bashkimit Europian në rajon. Po përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendet tona dhe qytetarët tanë. Në këtë rrugë integrimi europian i të gjithë rajonit mbetet objektivi ynë kryesor. Kjo do të garantojë paqe stabilitet dhe zhvillim. Bashkëpunimi në rajon duhet të jetë më i ngushtë sa i përket energjitikës, trasportit dhe infrastrukturës”.

Presidenti i Bullgarisë, në fjalën e tij si Kryetari në Detyrë i SEECP, ndër të tjera u shpreh se presidenca bullgare e organizatës, gjatë një viti ngriti në një nivel më të lartë çfarë u fillua gjatë presidencës shqiptare, duke e falënderuar Shqipërinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin.

Ndërsa gjatë fjalës së mbajtur në takim, Kreu i Shtetit bëri thirrje për një debat realist dhe reflektimin për fazën e mëtejshme, ku shtetet anëtare dëshirojnë ta çojnë organizatën, si dhe i garantoi liderët e tjerë se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të jetë një partner serioz dhe i besueshëm në këtë proces.

Tv Klan






Të ngjashme