Nishani: Pajisja e policisë t’i dorëzohet Prokurorisë


Nishani: Pajisja e policisë t’i dorëzohet Prokurorisë

14:41 17/05/2016

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkon qeverisë shqiptare që të mos vazhdojë të pengojë ushtrimin e funksionit kushtetues dhe detyrën ligjore të Prokurorisë së Shtetit, për hetimin e ekzistencës dhe përdorimit të një pajisjeje interceptuese nga ana e Ministrisë së Brendshme.

Në njoftimin zyrtar, Presidenti shkruan se qeveria duhet t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit.

Një ditë më parë, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se marrëveshja me Interforcën italiane, që ka sjellë pajisjen në Shqipëri është nënshkruar nga Bujar Nishani, kur drejtonte Ministrinë e Brendshme.

Por kreu i shtetit thotë se qeveria duhet të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me këtë marrëveshje.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga Policia shqiptare.

Presidenti Nishani shprehet se dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri.

Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.

Tv Klan






Të ngjashme