9 kongresmenë amerikanë në Tiranë, takime me Nishanin, Metën e Bashën
Përpjekjeve të ndërkombëtarëve që kanë vizituar javët e fundit Shqipërinë për të ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje politike mes palëve i është shtuar së fundmi edhe një delegacion anëtarësh të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Bob Goodlatte.
Takimin e parë në Tiranë kongresmenët amerikanë e zhvilluan me presidentin Bujar Nishani, të cilin e vlerësuan për rrolin institucional në ndërmjetësimin e dialogut mes aktorëve politikë në vend.
Gjatë takimit në presidencë kreu i shtetit dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi situatën politike në Shqipëri; zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecurinë e reformës në drejtësi, rëndësinë e shtetit ligjor, shqetësimit për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar. Pjesë e bisedës ishte edhe buxheti financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit me Presidentin Nishani, kongresmenët amerikanë u pritën edhe nga Kryetari i Kuvendit, njëherazi dhe presidenti i ardhshëm, Ilir Meta.
Gjatë pasdites kongresmenët amerikanë u takuan edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në takimin që zgjati rreth 1 orw e 20 minuta u diskutua për situatën politike në vend.
Tirana është vizituar dje edhe nga Andreas G. Lammel, deputet i CDU-së, i cili u takua një ditë më parë me kreun e demokratëve Lulzim Basha dhe përfaqësues të partive opozitare. Ndërsa të hënën pritet të mbërrijë Zëvendës/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee./ TV KLAN
***
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka zhvilluar sot një takim pune me delegacionin e Kongresit Amerikan, ku në fokus ishte situata politike në Shqipëri dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një njoftim për shtyp, zyra e Presidentit tha se palët diskutuan për tema si “situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e reformës në drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Presidenca po ashtu tha se në takim u vlerësua edhe roli institucional e përkushtimi i Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes palëve politike në vend.
Delegacioni i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesohej nga Kryetari Bob Goodlatte. /tvklan.al