Nishani reagon ndaj deklaratave të Ramës
Institucioni i presidentit ka reaguar pas një deklarate të Kryeministrit Edi Rama gjatë seancës parlamentare teksa debatonte me ish-Kryeministrin Berisha mbi protestën e Bashkisë së Tiranës pranë Gjykatës Administrative të Apelit. Në fjalën e tij kryeministri tha se opozita ka përdorur presidentin për të mbrojtur një trupë të korruptuar gjyqësore.
Institucioni i Presidentit e konsideron këtë deklaratë si keqpërdorje të aulës së Kuvendit të Shqipërisë, fyerje dhe shpifje ndaj kreut te shtetit. Në deklaratën për shtyp thuhet se sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar. Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt-theksohet më tej në deklaratë.
Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë.
Kreu i shtetit i bën thirrje kreut të qeverisë të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale. Të luftojë bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor. Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë.
Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj. Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit.
Tv Klan