Nishani: Konsensusi dhe kompromisi, garant për reformën
Presidenti Nishani vlerësoi dhe përgëzoi të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë, si dhe klasën politike shqiptare në përgjithësi, mbi konsensusin e arritur përmes kompromisit që ofruan në procesin e reformës në drejtësi.
“Ky proces dhe të gjitha përpjekjet e bëra me persistencë treguan rëndësinë e padiskutueshme që reforma në drejtësi ka mbi të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”-
thotë kreu i shtetit.
Sipas tij, konsensusi dhe kompromisi garantojnë që reforma në drejtësi ose më saktë, ndryshimet kushtetuese do të arrijnë qëllimin aq shumë të dëshiruar e të mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për një drejtësi vërtet profesionale, efiçente dhe të pavarur.
Edhe kryetari i Kuvendit Meta përshëndeti vendimin e Partisë Demokratike. Duke e cilësuar konsensusin si një arritje historike Meta i shprehu mirënjohje Komisionerit Hahn.
“
Miratimi i Reformës në Drejtësi është një sukses dhe një arritje për të gjithë shqiptarët”
, vlerësoi Meta.
Ka reaguar edhe ish-kryeministri Berisha, i cili shkruan se me rolin e saj, PD arriti garanitimin e nje projekti-reforme që shpëton sistemin nga kapja qeveritare, garanton për qytetarët shqiptarë liritë dhe të drejtat që gëzojnë nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta e tyre si dhe një proces vlerësimi transparent, ligjor, objektiv të bazuar në meritën dhe integritetin profesional dhe njerëzor të prokuroreve dhe gjykatesve tane dhe jo ne opinione, thashetheme dhe marrëzira, që dëshironte i suksesshmi imagjinar.
Sipas Berishës ky draft garanton që të gjithë procesin e ndërtimit të piramidës së drejtësise vendimmarrja të jetë ekskluzivisht si në çdo vend tjetër sovran në duart e shqiptarve dhe jo të të huajve, por duke pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Tv Klan