Nishani: Shtimi i zërave nostalgjikë në mbrojtje të krimeve të diktaturës, këmbanë alarmi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shfrytëzoi një aktivitet në kuadër të “Tetorit Gjerman” për të shprehur shqetësimin e tij se Shqipëria nuk është ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Kreu i shtetit solli si shembull mënyrën sesi po veprohet me Ligjin e Lustracionit.
“Me keqardhje konstatoj se pas 26 vitesh nga modeli gjerman, Shqipëria nuk është ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Dosjet e sigurimit të shtetit në Shqipëri nuk janë ende të aksesueshme dhe lustracioni as që merret në konsideratë. Simbolet e diktaturës dhe regjimit komunist po rikthehen fatkeqësisht dukshëm e shpesh të kamufluara me element artistik.
Kreu i shtetit foli për shtimin e zërave nostalgjikë në radhët e politikës që kërkojnë të mbrojnë krimet e regjimit komunist.
“Klasa politike shqiptare sot ka për detyrë të marr seriozisht dënimin e krimeve të komunizmit dhe respektimin e rezulutave të Këshillit të Europës të viteve 1996 dhe 2006. Shtimi i zërave nostalgjikë, shpeshherë dhe nga politikanë, në mbrojtje të hapur të krimeve të kryera nga komunizmi dhe sigurimi i shtetit duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare”.
Pak ditë më parë, kreu i shtetit reagoi ashpër ndaj disa deklaratave të Zv/Ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi në lidhje me dekorimin e 67 nacionalistëve të ekzekutuar gjatë luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Nishani i cilësoi deklaratat e zyrtarit të qeverisë si sulme dhe provokime të adresuara nga nostalgjikë eneveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së dytë botërore.
Në kuadër të “Tetorit Gjerman”, kreu i shtetit dekoroi me titullin “Nënë Tereza” 4 motra të komunitetit katolik, për kontributin e tyre në ndihmë të familjeve në nevojë dhe arsimimin e të rinjve.
Tv Klan