Nishani: Për ONM të zbatohet Kushtetuta


Nishani: Për ONM të zbatohet Kushtetuta

15:25 02/03/2017 https://youtu.be/8XpVN1TW3Kk

Në mesin e polemikave për rolin kushtetues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i tha shefes së operacionit, Xhenoveva Ruis Calavera, se ai ka kërkuar zbatimin rigoroz të kushtetutës.Në një takim të zhvilluar mes tyre presidenti është shprehur se ftesa e drejtuar ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi ka qenë shumë e sinqertë, ndaj përfshirja e tyre edhe në Kushtetutën e vendit, edhe pse përbën një rast unik, është gjykuar si thelbësore për zbatimin efikas të reformës.

Por në këtë  kontekst, Presidenti e ka informuar shefen e ONM –se se ka kërkuar zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga të gjitha palët përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë, siç janë miratuar konsensualisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës, duke besuar në suksesin e këtij procesi të pakthim.

Gjatë takimit, Kreu i shtetit ka evidenduar dy elementët që kanë qenë dhe mbeten thelbësorë për suksesin e reformës në drejtësi, si konsensusi dhe besueshmëria. Për këtë arsye ai e inkurajoi zonjën Calavera, dhe nëpërmjet saj institucionet e Bashkimit Evropian, që të nxisin më tej procesin në këtë trajektore, me qëllim rritjen e besimit ndërmjet palëve dhe tek qytetarët shqiptarë.

Ky takim vjen teksa ministri i drejtësisë, Petrit Vasili, e ka informuar zyrtarisht Presidentin e Republikës, si dhe kryeministrin dhe ambasadat e SHBA dhe BE, në lidhje me shqetësimin se Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është antikushtetues.

Kreu i shtetit ka theksuar ne takimin e tij me zonjën Calavera se është e domosdoshme që të shmanget çdo tentative për politizimin e procesit, duke inkurajuar transparencën, paanshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tij në çdo etapë. / TV KLAN






Të ngjashme