Nisin konsultimet për kryeministrin e ri italian
Presidenti italian Sergio Mattarella nisi këtë të enjte konsultimet me krerët e institucioneve kryesore të vendit për t’i dhënë fund krizës, që ka përfshirë vendin pas dorëheqjes së kryeministrit Matteo Renzi.
Në orën 18:00 Mattarella u takua me presidentin e Senatit, Pietro Grasso. Pas tij ishte radha e kreut të dhomës tjetër të parlamentit italian, Laura Boldrini, ndërsa më pas Mattarella u takua me paraardhësin e tij, presidentin e nderit Giorgio Napolitano.
Hipotezat më të mundshme janë tre; e para është ajo e një kabineti Renzi 2 derisa Gjykata të shprehet për ligjin elektoral, që është edhe preferenca e presidentit Mattarella.
E dyta është ajo e një qeverie gjithëpërfshirëse por pa praninë e Renzit, ndërsa e treta ajo e zgjedhjeve të parakohshme që po shtyhet fort nga fituesit e referendumit./ TV KLAN