Nisin përgatitjet për Rumaninë, kthehet kapiteni Cana
Kombëtarja zhvilloi dje pasdite vetëm një seancë stërvitore në Perros Girek, pas ditës së pushimit. Kuqezinjtë po përgatiten për sfidën e fundit në grup, atë të së dielës me Rumaninë në Lion.
Ledian Memushaj, i cili përshkoi më shumë kilometra se çdo lojtar me Francën, u stërvit veçmas. Stafi mjekësor e konfirmon se nuk është asgjë shqetësuese. Për këtë takim kthehet kapiteni Lorik Cana pas pezullimit, ndërsa Burim Kukeli nuk është në dispozicion, pasi plotësoi numrin e kartonëve të verdhë.
Futbollistët besojnë se mund t’ia dalin, por për Bekim Balajn, i cili ende nuk ka luajtur asnjë minutë, duhet edhe pak fat.
Bekim Balaj, futbollist i Kombëtares:
“Ndoshta na duhet edhe pak fat, pasi nuk është vetëm në dorën tonë, pasi duhet të luhen edhe ndeshjet e grupeve të tjerë, por ne duhet të bëjmë punën tonë ta fitojmë këtë ndeshje.”
Andi Lila ka besim se do të marrin fitoren e kërkuar kaq shumë me Rumanië.
Andi Lila, futbollist i Kombëtares:
“Unë kam shumë besim se Shqipëria do të lejë gjurmë në këtë Europian. Për Rumaninë shumë respekt, por kjo është ndeshja jonë.”
Kombëtarja do të zhvillojë seancën e fundit sot në mbrëmje në stadiumin e Lionit, ku nesër në orën 21:00 do të zhvillohet sfida Rumani – Shqipëri.
Tv Klan