Nisin procedurat për rekrutimin e studentëve për Akademinë e Sigurisë
Në datën 1 shkurt, Policia e Shtetit do të nisë procedurat për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin.
Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme thuhet se ndër kriteret e përzgjedhjes dhe pranimit të kandidatëve janë
: mesatarja e notave mbi 8; nivel i mirë i gjuhës angleze, që do të verifikohet me provim; kondicion trupor dhe fizik i përshtatshëm.
Pranimi do të bëhet nga degët jurisprudencë, ekonomi, financë, informatikë dhe elektronikë. Kandidatët duhet të kenë përfunduar studimet në nivelin master.
Kjo hapje e Policisë për të marrë studentë të ekselencës bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit. Hapja synon afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të policisë kriminale. Në njoftimet e ardhshme, do të detajohen procedurat e aplikimit dhe të konkursit.
Ftohen të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
/tvklan.al