Nisin sot bisedimet për qeverinë në Itali
Është rihapur kriza politike në Itali, e njohur si vendi ku pothuajse asnjë Kryeministër nuk ka mundur të çojë deri në fund mandatin 4 – vjeçar në 70 vitet e fundit.
Të enjtën pasdite rreth orës 18.00, siç është njoftuar nga mediat italiane, Presidenti i Republikën, Sergio Mattarella do t’i hapë rrugën bisedimeve shumëpalëshe për zgjidhjen e ngerçit politik. Një ditë më parë, Matteo Renzi paraqiti dorëheqjen e tij tek kreu i shtetit, menjëherë pasi Senati Italian kaloi ligjin për buxhetin e vitit 2017.
Kryeministri i dorëhequr, vazhdon të propozojë dy alternativat e njohura, zgjedhje menjëherë pas datës 24 Janar, kohë kur Gjykata Kushtetuese do të presë ligjin elektoral ose një qeveri gjithëpërfshirëse deri në fund të kësaj legjislature.
Renzi theksoi nga Selia e Partisë Demokratike, se forca që ai drejton ka shumicën dhe ka për detyrë të ndihmojë presidentin e vendit të dalë nga kriza qeverisëse.
Kreu i Shtetit pritet t’i sugjerojë një kandidaturë nga kabineti i ministrave të Renzit, apo një anëtar të Partisë Demokratike, për të formuar qeverinë e re.
Por anti – europianët e ekstremit të djathtë, Lega Nord dhe Lëvizja 5 yjet, që janë edhe fituesit e referendumit, bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Renzi sqaroi se nuk u trembet atyre dhe askujt. Nëse pas konsultimeve të tjerët duan të shkojnë në votime, partia jonë është e gatshme pasi nuk ka frike nga demokracia, tha ish -Kryeministri.
Disa nga emrat e përfolur për të pasur Renzin janë Ministri aktual i Financave, Pier Carlo Padoan apo kreu i Senatit Pietro Grasso, i cili ështe apolitik.
Tv Klan