Niveli i Bovillës, garanci për furnizim me ujë gjatë 2010-ës
Niveli aktual i ujit në liqenin e Bovillës është garanci për një furnizim të qëndrueshëm me ujë për kryeqytetin edhe gjatë verës në vijim. Burime nga Drejtoria e Ujësjelles Kanalizimeve të Tiranës pohojnë se situata e kënaqshme hidrike në këtë rezervuar dhe masat e tjera menaxhuese pritet të sjellin përmirësim të ndjeshem të furnizimit me ujë për banorët e Tiranës.
Në liqenin e Bovillës në periferi të Tiranës po punohet për mbajtjen e kuotave të ujit brenda parametrave të lejuar. Përgjegjësit për menaxhimin e këtij liqeni konfirmojnë se portat e shkarkimit janë hapur për disa ditë rresht javën e fundit, me qëllim mbajtjen e nivelit maksimal të 318 metrave.
Specialistët që monitorojnë digën e Bovillës garantojnë se situata është nën kontroll dhe falë mekanizmave të shkarkimit automatik dhe manual, nuk janë vënë për asnjë çast në rrezik zonat e banuara.
Nga ana tjetër mbajtja e Bovillës në këto nivele përkthehet me rritje të sasisë së ujit që pompohet drejt kryeqytetit, jo vetëm momentalisht, por edhe përgjatë periudhës përgjithësisht problematike, atë të stinës së thatë të vitit.
Tv Klan