Një ditë ndryshe për gratë që gjenden në burg
Përpara se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme e vetëizolimit, gratë që ndodhen në “Burgun e Grave” mundën të përjetojnë një vizitë të veçantë, për të festuar 8 Marsin. Ato patën mundësi të ndihen amvisa për një ditë, në sajë të një aktiviteti të pazakontë për to organizuar nga Ketrina Jarazi, drejtore e QRT dhe Luga e Argjendtë.
Për emisonin “Jo vetëm modë”, në TV Klan, Jarazi u shpreh se ishte një bashkëpunim me stafin e saj në kuadër të 8 Marsit, për të bërë diçka ndryshe me gratë që ndodhen në burg.
Ketrina Jarazi: Në bashkëpunim me stafin tim menduam që në kuadër të 8 Marsit, pse jo të vinim tek i vetmi burg i grave Tiranë dhe për të bërë diçka ndryshe me to. Unë faktikisht jam goxha feministe, jo feministe që urrej meshkujt se na duhen, por jam feministe për një barazi gjinore, për sa i përket pjesës sociale, biznesit, punës që femrat të konsiderohen të barabarta me meshkujt.
Gjithashtu pjesë e vullnetarëve ishin edhe gazetarja dhe aktivistja Zhaklin Lekatari dhe këngëtarja Beatriks Ramosaj.
Ketrina Jarazi: Të gjitha femrat, bashkëpuntoret që unë kam komunikuar që në fillim, për këtë iniciativë kanë qenë dakord menjëherë për të ardhur, kanë patur jo vetëm dëshirën, por edhe kuriozitetin. Ashtu si pashë sot, dashamirësinë, afrimitetin që ato treguan ndaj nesh, pse jo të vimë sërish me kënaqësi.
Gratë që ndodhen në këtë burg treguan se lexojnë libra, pikturojnë dhe bisedojnë me njëra- tjetrën. Gjithashtu merren me aktivitete të ndryshme, por edhe bëjnë sende handmade, si vathë, rruaza./tvklan.al