Një Gjeneral shqiptar, mes puçistëve të arrestuar në Turqi
Në mesin të arrestuarve në Turqi, pas tentativës për grusht shteti, ishin edhe 6 zyrtarë të lartë të Forcave të Armatosura. Një ndër figurat më të larta të prangosura ishte edhe Gjenerali me origjinë shqiptare Adem Huduti, Komandant i Armatës së Dytë, pjesë e Kombësorisë të Forcave të Armatosura.
Huduti ka lindur në Kosovë, në 1952 dhe më vonë emigroi në Turqi. Ai u diplomua në vitin 1973 në Akademinë Ushtarake turke. Rreth Gjeneralit shqiptar që u ndalua ditën e sotme si pjesë e plotit për rrëzuar nga pushteti Presidentin Erdogan, mediat ndërkombëtare shkruajnë se ai është një ndër figurat më të larta të përfshira në këtë grusht, sëbashku me Akin Ozturk. Në biografinë e shkurtër që gjendet në internet mbi Hudutin thuhet se ai ka kontribuar prej vitesh në Forcat Aleate Tokësore të NATO –s për Europën Jugore në Itali. Ai u gradua Gjeneral – Lejtant dhe u emërua në krye të formacionit të FA në Turqi, të njohur si Ushtria e Dytë, në vitin 2014. Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në SHBA, Huduti drejtoi trupat turke në Afganistan. Ai është i martuar dhe ka 2 fëmijë. Gjatë karrierës së tij ushtarake, 64 - vjeçari ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Ushtrinë Turke. Mbetet e paqartë arsyeja e përfshirjes së tij në grushtin e shtetit, ashtu sikurse edhe fati i tij. Autoritetet turke kanë deklaruar se puçistët që tentuan të merrnin pushtetin me dhunë mbrëmjen e së premtes, do të marrin dënime maksimale./tvklan.al