Një grua kallëzon Emiljano Shullazin për grabitjen e një prone në Tiranë
Në Prokurorinë për Krimet e Rënda ka mbërritur kallzimi i parë për Emiljano Shullazin dhe Gilmando Danin. Burime nga grupi hetimor që po heton dosjen “Shullazi” thonë se një grua e akuzon të arrestuarin për përvetësimin e një prone.
Ajo thotë së asaj i është marrë një pronë me vlerë një milion euro. Në kallzim thuhet se prona është regjistruar në emër të Gilmando Danit dhe kjo sipas denoncueses është bërë duke kërcënuar gjyqtarin.
Për momentin prokuroria nuk bën publik identitetin e gruas për shkak të sekretit hetimor. Gjithshtu edhe vendndodhja e pronës konsiderohet si sekret.
Kallzimi vjen në një kohë kur avokatët mbrojtës të Shullazit i janë drejtuar gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për ndryshimin e masës së sigurisë. Kërkesë kanë bërë edhe dy miqtë e tij dhe kërkesat pritet të shqyrtohen javën e ardhshme. Ata kërkojnë lirim nga burgu me pretendimin se prokuroria nuk ka prova dhe as kallzime. Për këtë arsye Emiljano Shullazi është transferuar nga burgu i Elbasanit, drejt paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë, i njohur ndryshe si 313.
Por duket se kallzimi i gruas për përvetësimin e pronës do të ndryshojë rrjedhën e hetimit për grupin e Shullazin.
Sipas prokurorisë, Shullazi ishte ai që kërcënoi edhe akademikët Dhori Kule e Mynir Koni, si dhe u ka vënë gjobë të paktën 3 biznesmeneve të njohur.
Por asnjëri prej tyre nuk ka bërë kallzim.
Kuke e Koni kanë deklaruar se nuk i njohin personat që i kërcënuan, ndërsa biznesmenet kanë mohuar që të kenë paguar gjoba tek Shullazi.
Tv Klan