Një grua në krye të Senatit italian


Një grua në krye të Senatit italian

14:06 24/03/2018

Pas dështimeve në votimet e së premtes, koalicioni i qendrës së djathtë në Itali dhe Lëvizja 5 Yjet, ranë dakord për zgjedhjen e krerëve të dy dhomave të parlamentit.

Roberto Fico do të jetë kryetari i ri i Dhomës së Ulët. Politikani i ardhur nga radhët e Lëvizjes 5 Yjet, u mbështet në votimin e katërt nga qendra e djathtë. Nga ana tjetër, marrëveshja mes palëve çoi në krye të Senatit të parën grua, Maria Elisabetta Alberti Casellati, emër i propozuar nga Silvio Berlusconi dhe i mbështetur nga Lëvizja 5 Yjet.

Zgjedhja e kreut të Senatit rrezikoi të prishte koalicionin brenda qendrës së djathtë, pasi Berlusconi akuzoi Salvinin se ka një aleancë të fshehtë me Lëvizjen 5 Yjet.

Në këtë mënyrë, palët hedhin hapin e parë drejt zgjidhjes së ngërçit politik që prodhuan zgjedhjet parlamentare të 4 Marsit. Konsensusi në caktimin e krerëve të dy dhomave i hap rrugë bisedimeve për krijimin e qeverisë së re, thotë kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes 5 Yjet, Danilo Tonelli. Por nga qendra e djathtë frenojnë, duke thënë se qeveria i takon koalicionit fitues.

Tv Klan






Të ngjashme